Ministri i Politikave Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, ka përuruar kopshtin më modern në vend, “Bambi”, në komunën e Çairit. Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm drejt sigurimit të një fëmijërie më të mirë dhe mundësive të barabarta për çdo fëmijë, pavarësisht prejardhjes.
“Kopshti ‘Bambi’ është ndërtuar sipas standardeve më të larta, me pajisje moderne dhe kushte që garantojnë edukim cilësor parashkollor. Ky nuk është vetëm një investim në infrastrukturë, por në lumturinë, sigurinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë,” u shpreh ministri Limani. Ai shtoi se ky projekt u realizua falë përkushtimit të përbashkët, duke kapërcyer pengesat e krijuara nga interesa të ngushta.Ministri theksoi angazhimin e Qeverisë për të siguruar qasje në arsim dhe përkujdesje cilësore për çdo fëmijë, qoftë në qytete të mëdha apo në fshatrat më të vogla.
“Ne po vazhdojmë të ndërtojmë dhe rinovojmë institucione parashkollore, të ulim listat e pritjes dhe të sigurojmë staf të përkushtuar e profesional,” deklaroi ai.Kopshti “Bambi” është dëshmi e një vizioni për një shoqëri ku fëmijët gëzojnë një mjedis të sigurt dhe të lumtur. “Ky është vetëm fillimi. Fëmijët tanë meritojnë më të mirën,” përfundoi ministri Limani, duke nënvizuar përkushtimin për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për brezat e rinj.