Fatmir Limani bën historinë: Provimet për licencim në çerdhe për herë të parë në shqip

Për herë të parë në vend, provimet profesionale për marrjen e licencës së punës në institucionet për fëmijë po zhvillohen edhe në gjuhën shqipe, krahas gjuhës maqedonase. Licencimi është kusht i domosdoshëm për punësim në çerdhe për edukatorët, kujdestarët, punëtorët profesionistë, bashkëpunëtorët dhe drejtorët.

Ky ndryshim i rëndësishëm është bërë i mundur pas zhbllokimit të procesit, i cili kishte ngecur që nga viti 2023 për shkak të mosfunksionimit të sistemit elektronik. Me ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, provimet po zhvillohen tani me shkrim deri më 1 janar 2026, pas së cilës pritet të rikthehet forma elektronike e testimit.

Sipas Ministrisë së Politikave Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, licencat e lëshuara pas këtij procesi do të jenë në të dy gjuhët, duke garantuar qasje të barabartë dhe respektim të plotë të të drejtave gjuhësore. Aktualisht rreth 350 kandidatë po i nënshtrohen provimit, ndërsa deri në fund të muajit pritet që edhe 350 të tjerë ta përfundojnë këtë procedurë.

Ky hap vlerësohet si një moment historik në sigurimin e barazisë gjuhësore dhe krijimin e mundësive të reja për punësim në sektorin e kujdesit dhe edukimit të hershëm.