Ministri i Politikave Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, vizitoi sot Qendrën për Punë Sociale në Kërçovë, qyteti i tij i lindjes dhe vendbanimi aktual, ku për herë të parë në krye të institucionit është emëruar një grua – Pajtime Aliu-Mehmedi, kuadër i ri dhe i mirëarsimuar.
Gjatë takimit, ministri Limani i uroi drejtoreshës së re punë të mbarë dhe suksese, duke zhvilluar një bisedë produktive për nevojat dhe sfidat me të cilat përballet qendra çdo ditë. Në fokus ishte përmirësimi i kushteve të punës dhe cilësia e shërbimeve për qytetarët.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua Qendrës Ditore për Persona me Aftësi Ndryshe, veçanërisht sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit. U theksua gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë për trajtimin e rasteve të dhunës në familje – nga strehimi dhe mbrojtja, deri te krijimi i kushteve për punësim dhe pavarësi ekonomike e sociale të viktimave.
Ministri Limani nënvizoi se mbetet i angazhuar për të qenë pranë institucioneve dhe qytetarëve, duke ndërtuar një sistem social gjithëpërfshirës, ku të rinjtë dhe kuadrot shqiptare marrin vendin që meritojnë.
Drejtoresha e re, pas fillimit të mandatit falënderon ministrin me një postim në Facebook:
Kam nderin dhe privilegjin që në ditën e parë të mandatit tim si Drejtoreshë të nënshkruaj edhe 8 kontrata pune për 8 familje, shfrytëzoj rastin të faleminderoj Ministrin z. Fatmir Beqir Limani për angazhimin dhe punën e tij të pa lodhur që bëri të mundur hapjen e vendeve të reja të punës.
Me këtë rast më jep mundësinë të kem një fillim të mbarë dhe një energji pozitive për të vazhduar edhe më me vullnet tu shërbej qytetarëve që kanë nevojë për mbështetjen dhe asistencën tonë !
Me shumë respekt,
Pajtime Mehmedi