Fatmir Limani prezanton skuadrën fituese në Kërçovë – nga një nismë e vogël në ekip të madh shprese e bashkimi

Rrugëtimi i Fatmir Limanit – nga një nismë e vogël në një lëvizje fituese

Nga shtabi i kandidatit për kryetar të Komunës së Kërçovës, Fatmir Limani, theksohet se rrugëtimi i tyre politik është shembulli më i mirë i përkushtimit, bashkimit dhe vizionit të qartë. Ajo që dikur nisi me një listë të vogël këshilltarësh, sot është shndërruar në një skuadër profesionale, të përkushtuar dhe fituese – ku përfshihen gra dhe burra, të rinj plot energji dhe njerëz me përvojë, të gjithë së bashku duke përfaqësuar më të mirën e qytetit.

Gjithçka filloi me një njeri të vetëm që ndezi dritën e parë të shpresës, duke fituar 5 mijë vota besimi. Sot, kjo nismë e vogël është rritur në një shtab të madh që frymon vetëm një mesazh: shpresë, besim dhe fitoren e sigurt për Kërçovën.

Takim me mërgatën shqiptare në Zvicër

Këtë fundjavë (ditën e shtunë13 shtator), Fatmir Limani dhe ekipi i tij do të zhvillojnë një takim të posaçëm me mërgatën në Zvicër. Ky takim synon jo vetëm shprehjen e mirënjohjes për mbështetjen e pandërprerë të mërgimtarëve, por edhe përfshirjen e tyre aktive në hartimin e programit zhvillimor për të ardhmen e Kërçovës.

Idetë, mendimet dhe vizionet e mërgatës do të bëhen pjesë e planit të madh të ndryshimit, duke e kthyer këtë bashkëpunim në një shtyllë të fortë për fitore.